25 shtator, 2019 – Për të dytin vit radhazi Prizreni ishte pjesë e projektit “Rekrutimi i vajzave të reja në futbollin shkollor”, me moton “Ti mund ta bësh – You Can Do It”, i cili organizohet nga Federata e Futbollit e Kosovës në partneritet me UEFA-n dhe në bashkëpunim me Shoqatat e Pedagogëve të Kulturës Fizike dhe Sportit. Në turneun e Prizrenit morën pjesë 10 ekipe të Shkollave të Mesme të Ulëta të kësaj komune. Në hapje të turneut të pranishmit i përshëndetën anëtarët e KE të FFK-së, Vjollca Krasniqi dhe Mirsad Çollaku, të cilët theksuan rëndësinë që ka ky projekt në ndërgjegjësimin dhe masivizimin e futbollit tek vajzat. “Prizreni si një qytet i lashtë vazhdimisht ka qenë çerdhe e talenteve të futbollit. Nga ky qytet tani kemi dy ekipe të vajzave që garojnë në Ligën tonë dhe sigurisht se ky turne i ndihmon edhe ato në qëllimin për ta masivizuar këtë sport. Entuziazmi që ka përfshirë të rejat dhe të rinjtë për futbollin është diçka shumë pozitive, por tani duhet të punojmë të gjithë bashkërisht që t’i përfshijmë sa më shumë talente në futbollin e organizuar. Prandaj, juve si vajza të reja u kërkoj që ta praktikoni sa më shumë futbollin dhe të regjistroheni në klubet e komunës suaj që të zhvilloheni si futbolliste”, ka theksuar anëtarja e KE-së, Vjollca Krasniqi.
Garat u zhvilluan në dy fusha futbolli, ku u shfaq dashuri e madhe për futbollin dhe dolën në pah shumë vajza të talentuara të cilat përveç argëtimit luanin me përkushtim për të arritur edhe rezultat. Në fund, pas shumë lojërave interesante fitues i turneut doli ekipi i SHFM “Naim Frashëri”, shkollë e cila e kishte fituar edhe turneut e vitit të kaluar. Në finale vajzat e kësaj shkolle e mundën ekipin e SHMU “Lekë Dukagjini”, me rezultat bindës 5:0.
Si në çdo komunë tjetër, përveç trofeve për dy ekipet e para, FFK ndau nga 6 topa futbolli për të gjitha shkollat pjesëmarrëse në këtë turne.

Rezultatet
Motrat Qiriazi – Lekë Dukagjini (S) 1:4
Luigj Gurakuqi – Miran Lugoreci 6:1
Lekë Dukagjini (S) – Lekë Dukagjini (Pz) 1:2
Emin Duraku – Fadil Hisari 2:1
Zenun Çoçaj – Naim Frashëri 0:4
Abdyl Frashëri – Luigj Gurakuqi 1:3

Gjysmëfinalja
Lekë Dukagjini (Pz) – Emin Duraku 4:0
Naim Frashëri  – Abdyl Frashëri 3:1

Finalja
Lekë Dukagjini – Naim Frashëri 0:5