15 shtator, 2019 – Projekti “Rekrutimi i vajzave të reja shkollore në futbollin e organizuar” nën moton “Ti mund ta bësh – You Can Do It” nën organizimin e FFK-së në bashkëpunim me Shoqatat e Pedagogëve të Kulturës Fizike dhe Sportit, ka vazhduar me turneun dyditor në Kaçanik. Ashtu sikurse në qytetet e tjera edhe në këtë komunë morën pjesë 12 ekipe nga Shkollat Fillore të Mesme të Ulëta, e ku u dëshmua se dëshirë e madhe e vajzave për lojën e futbollit, por edhe u shfaqën shumë talente, të cilat sigurisht se në të ardhmen do të bëhen pjesë e klubeve apo shkollave të futbollit, që është edhe qëllim primar i këtij projekti.

Në hapje të turneut kryetarja e Komisionit të Futbollit të Femrave dhe njëherësh anëtare e KE të FFK-së, Vjollca Krasniqi, para pjesëmarrësve theksoi rëndësinë që ka ky projekt për sensibilizimin e përfshirjes së vajzave në futboll.

“Qëllimi i këtij projekti është t’i nxisim vajzat e reja që të merren me futboll, sport i cili deri para pak kohësh nuk kishte shtrirje të mjaftueshme në vendin tonë. Mirëpo, kohët e fundit FFK, por edhe vetë UEFA është duke i dhënë prioritet zhvillimit të futbollit të femrave. Edhe këtu po shoh që ka entuziazëm të madh të vajzave për futboll, prandaj duhet të punojmë bashkërisht që të kemi aktivitete sa më të shumta dhe ato që kanë talent dhe vullnet të përfshihen në klube të futbollit. Kaçaniku ka tash e disa vjet e ka klubin e futbollit të femrave, Bazeli 2015, por duke pasur parasysh entuziazmin e madh të vajzave është e nevojshme të krijohet edhe ndonjë klub tjetër”, ka theksuar Vjollca Krasniqi.

Të pranishmit i ka përshëndetur edhe përgjegjësi për sport në komunën e Kaçanikut, Fatos Vishi, i cili falënderoi FFK-në që në këtë projekt e kanë përfshirë edhe Kaçanikun, që sipas tij është vatër e talenteve të futbollit jo vetëm tek meshkujt por edhe tek femrat.

Ndërkohë, në ditën e dytë të garave ndeshjet i kanë ndjekur nga afër Ilaz Mjaku, anëtar i KE të FFK-së, Valbona Uka-Gashi, menaxhere për futbollin e femrave dhe përzgjedhësi i Kombëtares U16 e U19 për femra, Kushtrim Munishi. Fitues i turneut doli ekipi i SHFMU “Jusuf Gërvalla”, që në finale e mundi ekipin e SHFMU “Emin Duraku”, me rezultat 2:1. Për të gjitha ekipet pjesëmarrëse FFK ndau nga 6 topa futbolli si dhe mirënjohje, derisa për dy ekipet finaliste u ndanë kupa.

Rezultatet
Xhiro e parë
SHFMU “Jusuf Gërvalla” – SHFMU “Ali Asllani”          4:0
SHFMU “Idriz Seferi” – SHFMU “7 Shtatori”               3:0
SHFMU “Emin Duraku” – SHFMU “Dituria juaj”                   2:1
SHFMU “Gavur Luma” – SHFMU “Qamil Ilazi”            0:4
SHFMU “Kadri Zeka” – SHFMU “Naim Frashëri”                  1:4
SHFMU “Agim Bajrami” – SHFMU “Nazmi Osmani”  0:1

Xhiro e dytë
SHFMU “Idriz Seferi” – SHFMU “Nazmi Osmani”       0:1
SHFMU “Jusuf Gërvalla” – SHFMU “Qamil Ilazi”                   2:1
SHFMU “Emin Duraku” – SHFMU “Naim Frashëri”    3:2
SHFMU “Jusuf Gërvalla” – SHFMU “Nazmi Osmani” 1:0

Finalja
SHFMU “Jusuf Gërvalla” – SHFMU “Emin Duraku      2:1