2010-08-17
Grumbullimi i paraparë i Përfaqësueses së Kosovës prej 2 deri më 5 shtator është shtyrë për më vonë. Një gjë të tillë e ka bërë të ditur përzgjedhësi i Përfaqësueses, Albert Bunjaki
“Edhe pse më herët kisha planifikuar një grumbullim me lojtarët vendorë në datat e koordinuara me UEFA-n dhe FIFA-n prej 2 deri më 5 shtator, që do të kishte më shumë karakterin motivues dhe testues të lojtarëve, jam i detyruar të shtyjë tubimin e shtatorit dhe të orientohemi që eventualisht të organizojmë një ndeshje miqësore gjatë kësaj vjeshte. Kjo ndeshje njëherësh do të përdorej edhe si grumbullim disa ditor i Përfaqësueses A. Shtyrja ka ardhur duke pasur parasysh fillimin e vonuar të parapërgatitjeve të klubeve kosovare (për shkaqe të ndryshme) për edicionin e ri të garave në Raiffeisen Superligë, por edhe mungesën e kontinuitetit të ndeshjeve të rregullta të Përfaqësueses A”, ka theksuar Albert Bunjaki për ffk-kosova.com.