3 nëntor, 2016 – Sot u mbajt takimi i Komitetit Ekzekutiv të FFK-së me delegacionin e FIFA-s, i përbërë  nga Eva  Pasquier,  përgjegjëse për Programet zhvillimore në FIFA, Kenny Macleod përgjegjës për marketing  dhe komunikim, Hasruedi Hansler drejtor  teknik në FIFA dhe  Thierry Sprunger ekspert për financa në UEFA. Për takimet e deritashme me  faktorë relevant  në futbollin e Kosovës foli Eva Pasquier, e cila theksoi se nga të gjitha takimet ishte një e mirë, sepse të gjithë ishin në anën e zhvillimit dhe përparimit të futbollit gjë që nuk kemi hasur çdo kund. Pastaj , Hasler foli për domosdonë e hartimit të një plani strategjik zhvillimor në futbollin e Kosovës. “Së këndejmi duhet filluar që nga  mosha  6 deri 12 vjeç zhvillimi i fëmijëve, pas kësaj fillon përzgjedhja e fubolllistëve në grup-moshat deri te ekipi  kombëtar. Ju keni mjaft talente dhe keni Superligën, Ligën e parë dhe Ligën e dytë si dhe shkollat e futbollit. Është me rëndësi të hartohet një plan strategjk i mirë dhe i qëndrueshëm. Por për këtë nevojitet edhe edukimi i trajnerëve, gjyqtarëve dhe  administratorëve në të gjitha nivelet”, ka theksuar Hasler. Në vazhdim, Thierry Sprunger i njohu anëtarët e KE të FFK-së për mbështetjen që do ta ketë FFK-ja nga UEFA dhe FIFA, por tha se FFK-ja duhet të konkurrojë me Projekte dhe se UEFA e FIFA kërkon raporte të detajuara për të gjitha shpenzimet, sepse në  të kundërtën UEFA e FIFA mund t’i ndalë fondet dhe përkrahjen. “Unë këtu pashë një angazhim  maskimal dhe mund të them se sekretari i përgjithshëm  z.Salihu me shumë suksese ka bërë Projektet e  duhura, që kanë rezultuar edhe me thithjen e fondeve. Por ju nuk  duhet të prisni vetëm nga UEFA dhe FIFA, por duhet të punoni me sponsor dhe në marketing në mënyrë që të mos vareni vetëm nga fondet e institucioneve ndëkombëtare. Unë ju përgëzoi për vullnetin tuaj që me një fond kaq të vogël sa e keni pasur keni arritur të mbani gjallë futbollin”, ka theksuar Thierry Sprunger. Në pjesën e dytë të takimit anëtarët e KE dhe sekretari i përgjithshëm kanë folur për pikat e forta të FFK-së dhe se ishte një mendim i përbashkët se angazhimi, uniteti dhe duke marrë parasysh se KE përbëhet nga njerëz të futbollit, edhe sukseset në këto rrethana nuk kanë munguar. Raportet e mira me qeverinë dhe një harmoni e madhe ndërmjet organeve të të FFK-së ka bërë që federata të ketë suksese. Dhe përkundër faktit se financat ishin të vogla FFK-ja i ka ndihmuar klubet. Pikë e fortë e FFK-së është edhe puna me grup-moshat e reja deri te ekipi kombëtar. Është punuar shumë me futbollin e femrave, futsallin dhe këto janë pika të forta të FFK-së, por natyrisht se FFK-ja ka edhe pika të dobëtar sidomos në infrastrukturë dhe kjo kërkon një gamë të madhe të përfshirjes të shumë faktorëve sepse federata nuk mundet e vetme. Çështja e fushave të futbollit është një brengë por edhe mirëmbajtja ka shumë rëndësi. Mungojnë mjetet financiare dhe përkrahja e sponsorëve sepse tashmë ata kanë dhënë shumë dhe aktualisht edhe ata nuk janë në gjendje të mirë. Është nevojë imediate rritja dhe profesionalizimi i administratës në FFK.
Nga takimi doli një emërues i përbashkët që FFK-ja duhet të ketë një Plan strategjik për të arritur qëllimet dhe sipas një dokument zhvillimi FFK-ja mund të shkojë të faktorët relevant për të kërkuar mbështetje dhe përkrahje. Plani strategjik kërkon punë ekipore për të pasur sukses, duke përfshirë të gjithë akterët jo vetëm brenda FFK-së por edhe akterët e jashtëm.