Prishtinë, 25 korrik, 2020

E nderuar Familje Luli!
Të nderuar drejtues, anëtarë dhe tifozë të KF “Liria”

Me pikëllim të madh e pranuam lajmin se në moshën 64-vjeçare në Helsinki ka ndërruar jetë më i dashuri juaj, Qamil Luli, andaj më lejoni që në emrin tim, KE të FFK-së, klubeve dhe gjithë komunitetit të futbollit në Kosovë të ju shpreh ngushëllimet tona më të sinqerta.

Qamili ka qenë futbollist i spikatur i KF ‘Liria’ në vitet e 80-ta, kur kjo skuadër ishte në zenitin e saj, derisa viteve të fundit ishte duke jetuar larg vendlindjes.

Ata që e njohën gjithmonë e kanë vlerësuar Qamilin si një sportist të vërtet dhe me integritet të lartë. Ai ishte njeri i urtë dhe i afërt si me gjeneratën e tij, ashtu edhe me gjeneratat e reja.

Largimi i tij nga kjo jetë është humbje e madhe jo vetëm për familjen, por edhe për komunitetin e futbollit prizrenas dhe atij kosovar në përgjithësi, por kontributi dhe virtytet e tij do të kujtohen gjithmonë.

I paharruar qoftë kujtimi për Qamil Lulin!

Me respekt,
Agim Ademi, president i FFK-së