Prishtinë, 6 korrik, 2020

E nderuara Familje Selimi!

Me pikëllim të thellë e morëm lajmin që pas një sëmundje të rëndë ka ndërruar jetë punëtori sportiv dhe veprimtari i shquar Rushit Selimi, ndaj ju lutem më lejoni, që në emrin tim, KE, klubeve, futbollistëve, gjyqtarëve dhe tërë komunitetit të futbollit, të ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe të thella.

Rushiti ishte punëtor i dalluar dhe profesionist i pashoq. Kontributi i tij në futboll, veçmas në segmentin e ndarjes së drejtësisë ishte jashtëzakonshëm, duke qenë kryetar i Gjyqtarëve të Futbollit të Kosovës dhe kryetar i Gjyqtarëve të Futbollit në ish-ligën federative.

Me punën e tij profesionale, Rushiti ndihmoi pashmangshëm edhe në pavarësimin e futbollit të Kosovës, duke qenë anëtar i Komisionit të Garave në kampionatin e parë të Kosovës pas mëvetësimit, e pastaj edhe kryetari i Këshillit Profesional të gjyqtarëve, si dhe delegat e kontrollor i FFK-së.

Përveç kontributit në futboll, Rushiti u shqua edhe për aktivitetin e tij atdhetar, andaj veprat e tij nuk do të harrohen kurrë.

Në këto momente të vështira të gjithë jemi pranë jush, për ta përballuar dhimbjen dhe humbjen e njeriut më të dashur për ju.

I qoftë i lehtë dheu i Kosovës!

Me respekt
Agim Ademi, president i FFK-së