12 mars, 2017 – Sot janë zhvilluar tri ndeshje tejet interesante në kuadër të javës së 21-të në Vala Superligë. Skuadra kryesuese, Trepça’89 ka shënuar fitore tepër të rëndësishme në stadiumin “Shahin Haxhiislami” në Pejë në duel me Besën, me rezultat 3:2. Të dyja skuadrat në këtë ndeshje shfaqën lojë shumë të mirë, megjithëse pejanët kishin më shumë raste shënimi, por nuk ishin efikas para portës mysafire. Të parët në epërsi kaluan mitrovicasit me golin e shënuar nga Oto John, me gjuajtje me kokë pas harkimit të Potokut, në minutën e 43-të. Mirëpo, vetëm një minutë më vonë pejanët barazuan shifrat falë autogolit të Ilir Izmakut. Besa vazhdoi  me lojë të mirë edhe në pjesën e dytë dhe arriti të gjejë golin e epërsisë në minutën e 57-të, kur Qemajl Elshani realizoi një eurogol nga një distancë rreth 40 metra. Megjithatë, Trepça’89 nuk u dorëzua dhe fillimisht në minutën e 72-të arriti të barazojë shifrat nga penalltia me golin e Florent Hasanit, derisa në minutën e tretë shtesë Oto John realizoi edhe golin e tij të dytë dhe të fitores për mysafirët, duke vulosur rezultatin përfundimtar 3:2. Fitore si mysafire realizoi edhe skuadra kampione në fuqi, Feronikeli, që e mposhti Lirinë në stadiumin “Përparim Thaçi” në Prizren, me rezultat 3:1. Golat për Feronikelin i shënuan Mendurim Hoti (2’), Yll Hoxha (10’) dhe Mevlan Zeka (81’), derisa golin e vetëm për prizrenasit e shënoi Osi Chipuese (13’). Ndërkohë, fitore tejet të rëndësishme në garën për mbijetesë ka realizuar Drita, duke e mposhtur Drenicën, në Gjilan, me rezultat 2:1, me golat e shënuar nga Ismet Cakaj (16’-autogol) dhe Përparim Livoreka (63’), derisa golin e vetëm për Drenicën e shënoi Granit Arifaj (47’).
Rezultatet
Vala Superliga
Drita – Drenica 2:1
Besa – Trepça’89  2:3
Liria – Feronikeli 1:3
Liga e Parë
Deçani – Vitia 0:0