trepca89-feronikeli30 nëntor, 2016 – Sot janë zhvilluar katër ndeshje në kuadër të javës së 17-të në Vala Superligë. Trepça ’89 ka shënuar fitore si mysafire në stadiumin “Përparim Thaçi” në Prizren, duke e mposhtur Lirinë, me rezultat 3:0. Kësisoj, skuadra mitrovicase në pushimin dimëror do të shkojë në pozitën e parë, me 39 pikë. Dy golat e parë në fitoren kundër Lirisë i shënoi Oto John (32’, 46’), derisa golin e tretë dhe rezultatin përfundimtar të kësaj sfide e vulosi Florent Hasani (69’). Fitore si mysafir ka shënuar edhe Gjilani, që e ka mposhtur Trepçën në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë, me rezultat 2:0, me golat e shënuar nga Zgjim Mustafa (42’) dhe Egzon Shabani (60’). Ndërkohë, ndeshja derbi e kësaj jave, Prishtina-Feronikeli, që u zhvillua në stadiumin “Agron Rama” në Obiliq, nuk ka dhënë as fitues dhe as gola, duke u mbyllur 0:0. Pa fitues, por me gola është mbyllur edhe ndeshja në Skenderaj ndërmjet Drenicës dhe Ferizajt, me shifrat 1:1. Të parët në epërsi kaluan mysafirët me golin e Shkumbim Salihut, në minutën e 36-të, kurse një pikë Drenicës ia siguroi Altin Merlaku, me golin e shënuar në minutën e 63-të. Nesër zhvillohen dy ndeshjet e fundit të kësaj jave, Llapi-Hajvalia dhe Drita-Besa, me të cilat edhe mbyllet pjesa vjeshtore e kampionatit.