14 maj, 2017 – Sot janë zhvilluar të gjitha ndeshjet e javës së 31-të në Vala Superligën e Kosovës në futboll. Skuadra e Trepçës’89, e cila tashmë e ka siguruar titullin e kampionit, ka vazhduar me paraqitjet e saj të mira, duke shënuar fitore me rezultat bindës kundër Llapit në stadiumin “Riza Lushta”, me shifrat 8:1. Tre gola në këtë sfidë i shënoi Oto John (25’, 47’, 56’), me dy gola kontribuoi Florent Hasani (67’, 73’), kurse nga një gol  e shënuan Arbër Potoku (17’), Hasan Hyseni (71’) dhe Fiton Hajdari (90’+), derisa golin e vetëm për Llapin e shënoi Edon Zeqiri (32’). Fitore tejet të rëndësishme në luftën për pozitën e dytë shënoi Prishtina, e cila e mposhti Feronikelin në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas, me rezultat 2:1. Golat për Prishtinën i shënuan Basid Khalid (22’) dh Mankenda (62’), derisa golin e vetëm për Feronikelin e shënoi Behar Maliqi (45’). Tri pikë shumë të vlefshme i ka arkëtuar edhe Liria në garën për t’iu shmangur zonës së barazhit, duke e mposhtur Trepçën, me rezultat 3:1. Golat për prizrenasit i realizuan Korenica (39’), Guraziu (74’) dhe Fetahaj (83’), derisa golin e vetëm për Trepçën e shënoi Hajdari (47’).Pas kësaj humbjeje Trepça përfundimisht i humb të gjitha shpresat për të mbijetuar në elitë dhe së bashku me Hajvalinë në edicionin e ardhshëm do të bëjnë gara në Ligën e Parë. Fitore më të vështirë se sa është pritur ka shënuar Drita në duel me Hajvalinë, me rezultat 2:0, me golat e shënuar nga Semir Zeneli (58’) dhe Dren Gashi (73’). Ndërkohë, Drenica e ka mposhtur Besën, me rezultat 3:1, derisa sfida ndërmjet Ferizajt dhe Gjilanit është mbyllur pa fitues dhe pa gola. Pas këtij barazimi Ferizaj ia vështirëson dukshëm vetes gjasat për t’iu shmangur barazhit.