llapi-dritaSot është zhvilluar ndeshja hapëse e javës së 27-të e Raiffeisen Superligës, ndërmjet Llapit dhe Trepçës’89, e cila u mbyll pa fitues, me rezultat 1:1. Në pjesën e parë ishin futbollistët e Trepçës’89, të cilët patën mundësi shumë të mira shënimi, por nuk arritën të gjejnë golin, duke qëlluar dy herë shtyllën dhe duke shpërdoruar disa raste të pastra. Ndërkohë, në pjesën e dytë ishin llapajanët që ishin më këmbëngulës dhe arritën të parët të kalojnë në epërsi. Ishte minuta e 88-të kur mbrojtësi Dardan Jashari shënoi me kokë pas harkimit të Viktor Kukës. Megjithatë, kjo epërsi e vendasve nuk zgjati shumë, ngase në minutën e dytë shtesë, i sapoinkuadruari në lojë Shpëtim Idrizi e gjeti mjaft mirë Blerand Kurtishajn në krahun e djathtë, e ky me gjakëftohësi e ndali topin dhe shënoi për barazim të rezultatit, 1:1. Në bazë të lojës së treguar nga të dyja skuadrat mund të thuhet se barazimi ishte epilog real i kësaj sfide.