7 dhjetor, 2019 –  Për të dytin vit radhazi Federata e Futbollit e Kosovës e ka realizuar me sukses projektin “Rekrutimi i vajzave të reja në futbollin e organizuar”, në partneritet me UEFA-në e FIFA-në dhe më mbështetje të Komunave dhe Shoqatës së Pedagogëve të Kulturës Fizike. Për dallim nga viti i kaluar kur ky projekt u realizua vetëm në 7 qytetet më të mëdha të vendit, kësaj radhe në projekt u përfshin 13 komuna, në të cilat u organizuan turnetë me nga 12 shkolla nga secila komunë, derisa sot në kompleksin “Sopa Sport” në Lipjan u organizua turneu final me ekipet më të mira nga secila komunë. Në hapje të turneut të pranishmit i përshëndetën anëtarja e KE të FFK-së dhe udhëheqësja e këtij projekti, Vjollcë Krasniqi dhe sekretari i përgjithshëm Eroll Salihu.
“Për dallim nga viti i kaluar kur ishim vetëm në 7 qytete të mëdha, sivjet projektin e kemi shtrirë në 13 komuna dhe në këtë projekt ishin të përfshira rreth 2000 vajza të reja, prej të cilave një numër i konsiderueshëm janë përzgjedhur nga profesorët dhe trajnerët e klubeve, të cilët i kanë vëzhguar ato gjatë këtyre turneve. Motoja e këtij projekti ka qenë ‘Ti mund ta bësh’ – e kemi bërë këtë sepse ne ende jemi larg futbollit të meshkujve, por me punën tonë dhe angazhimin e vullnetin tuaj kemi dëshmuar se edhe vajzat mund të luajnë futboll dhe të kenë suksese edhe në arenën ndërkombëtare. Qëllimi i këtyre turneve nuk ka qenë se kush do të triumfojë, por që thjeshtë të bëhet sensibilizimi i vajzave për futboll, në mënyrë që ato ta shfaqin talentin e tyre në klubet e futbollit”, ka thënë Vjollca Krasniqi. Ndërkaq, sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu ka rikujtuar se zhvillimi i futbollit të femrave është prioritet i UEFA-s e FIFA-s, por njëkohësisht edhe i FFK-së. “Ky projekt burimin e të ardhurave e ka në UEFA në programin ‘Elite Youth’, aty ku fillon futbolli dhe ngadalë dalë fillon të profesionalizohet. Është kënaqësi e veçantë të shohësh kaq shumë vajza që e duan futbollin dhe sigurisht se ky projekt ju ndihmon që t’i tregoni vlerat tuaja në futboll dhe pse jo një ditë ta përfaqësoni edhe Kosovën në arenën ndërkombëtare. Qëllimi i parë i këtij projekti është ngritja e vetëdijes në vendet ku jetoni, por edhe në familje që femrat të jenë pjesë aktive në futboll dhe në të gjitha sferat e jetës, derisa qëllimi i dytë është që t’u japim mundësi trajnerëve të klubeve nga qytetet tuaja që të rekrutojnë sa më shumë vajza në futbollin e organizuar”, ka thënë Salihu. Në turneun final morën pjesë këto ekipe: SHFMU “Abedin Rexha” – Skenderaj, SHFMU “Jusuf Gërvalla” – Kaçanik, SHFMU “Fetah Qerimi” – Gjilan, SHFMU “Iliria” – Therandë, SHFMU “Ismajl Qemajli” – Prishtinë, SHFMU “Naim Frashëri” – Prizren, SHFMU “Dituria“ – Ferizaj”, SHFMU “Naim Frashëri” – Podujevë, SHFMU “Kuvendi i Verrave të Llukës” – Deçan, SHFMU “Sami Frashëri” – Pejë, SHFMU “Jusuf Rexha” – Mitrovicë, SHFMU “Habib Berisha” – Malishevë dhe SHFMU “Ahmet Rrustemi” – Gjakovë.

FFK u përkujdes që në turneun final të gjitha ekipet të shpërblehen me uniforma me ngjyra të ndryshme, si dhe me nga 6 topa futbolli. Në ndeshjet e zhvilluara u shfaq në dy fusha u shfaq angazhim dhe vullnet i madh i vajzave për të dëshmuar talentin e tyre, por edhe dëshirë për sukses. Pas lojërave mjaft interesante në fund fitues i turneut doli ekipi i SHFMU “Ahmet Rrustemi” nga Gjakova, që në finale e mundi ekipin e SHFMU “Habib Rexha” nga Malisheva, me rezultat 2:0. Në gjysmëfinale këto dy ekipe fituan ndaj ekipeve të SHFMU “Fetah Qerimi”, përkatësisht SHFMU “Iliria”.

Në fund, kupën dhe medaljet për vendin e parë i ndau Vjollcë Krasniqi, derisa medaljet për vendin e dytë përzgjedhësi i Përfaqësueses U-19, Kushtrim Munishi, derisa kupën për vendin e dytë Valbona Gashi-Uka, menaxhere e futbollit të femrave.