Portieri dhe njëherësh kapiteni i Përfaqësueses së Kosovës, Samir Ujkani, pas ndeshjes nuk e ka fshehur zhgënjimin që nuk arritën t’i gëzojnë tifozët, por e ka vlerësuar paraqitjen e djelmoshave si shumë të mirë. “Kemi luajtur me të vërtetë në mënyrë fantastike. I kemi pasur 5 minuta të dobët dhe aty na ndëshkuan. Kemi fituar shumë duele për top që me një ekip si Islanda është e vështirë për t’u arritur. Kemi qenë të pafat, por duhet të vazhdojmë kështu sepse jemi në rrugën e duhur. Jam shumë i kënaqur me të gjithë bashkëlojtarët. Kemi shumë talente dhe të gjithë lojtarët realisht e meritojnë të luajnë, pasi kemi kualitete të mëdha. Sigurisht se edhe fitoret do të vijnë, pasi kemi një grup shumë të mirë të lojtarëve. Normalisht jemi të mërzitur pak, por nuk duhet ta ulim kokën, sepse të gjithë e kanë parë se luajmë me zemër dhe japim maksimumin në fushë”, ka thënë Ujkani.