20 dhjetor, 2019 – Ashtu siç ishte edhe i tërë viti që po e lëmë pas madhështor për futbollin e Kosovës, i tillë ishte edhe manifestimi “Laureatët e Vitit 2019” që organizohet tradicionalisht çdo fundviti nga Federata e Futbollit e Kosovës. Të pranishëm në këtë mbrëmje gala ishin mysafirë të shumtë, duke filluar nga kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ministri në detyrë i sportit, Kujtim Gashi, zëvendëspresidenti i DFB-së, Rainer Koch, ambasadori i nderit i FFK-së dhe miku i ngushtë nga DFB, Rainer Milkoreit, zyrtarë nga UEFA, përzgjedhësi Bernard Challandes, drejtues e zyrtarë të institucioneve sportive në vend, ish-kryetarët e FFK-së, Agim Bytyçi e Sabri Hashani, familjarët e ish-kryetarëve Rexhep Abdullahu e Fadil Vokrri dhe njerëz tjerë që kanë kontribuuar e vazhdojnë të kontribuojnë në sukseset e FFK-së dhe zhvillimin e hovshëm të futbollit në Kosovë. Para fillimit të ndarjes së çmimeve me një fjalë rasti të pranishmëve iu drejtuan presidenti Agim Ademi, kryeministri në detyrë Haradinaj, ministri në detyrë i sportit Gashi dhe miqtë nga DFB, Koch e Milkoreit, derisa me një video-mesazh këtë mbrëmje e nderoi edhe presidenti i UEFA-s, Aleksandër Çeferin.
Çmimi kryesor i kësaj gala mbrëmje, “Fadil Vokrri”, për futbollistin më të mirë të vitit 2019 i takoi sulmuesit të Kombëtares së Kosovës dhe njëherësh anëtarit të Fenerbahçes, Vedat Muriqi. Ai e ka rrëmbyer këtë çmim në konkurrencë të ngushtë me Milot Rashicën dhe Amir Rrahmanin. Vedati e kishte të pamundur të ishte i pranishëm në këtë mbrëmje për shkak të angazhimeve me klubin e tij Fenerbahçe, por të pranishmëve iu drejtua me një video-mesazh në shenjë falënderimi për vlerësimin e dhënë. E në mungesë të tij çmimi iu dorëzua përzgjedhësit, Bernard Challandes nga presidenti i FFK-së, Agim Ademi dhe kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj.
Ndërkohë, në 11-shen më të mirë të Ipko Superligës me votat e gazetarëve sportivë janë përzgjedhur këta futbollistë: Portier: Visar Bekaj: Mbrojtës: Armend Thaçi, Përparim Islami, Arbër Prekazi, Visar Berisha. Mesfushorë: Albert Dabiqaj, Arb Manaj, Mendurim Hoti, Blend Baftiu, Xhevdet Shabani. Sulmues: Kastriot Rexha. Ky i fundit i ka fituar edhe dy çmime tjera në këtë mbrëmje, atë të lojtarit më të mirë të Superligës si dhe çmimin e golashënuesit më të mirë të vitit. Klubi më i suksesshëm është zgjedhur Feronikeli, skuadër kjo që e përfaqësojë Kosovën në Ligën e Kampionëve, derisa epitetin e trajnerit më të mirë e ka fituar ish-trajneri i Feronikelit, Zekirija Ramadani. Gjyqtari më i mirë për të gjashtën herë është zgjedhur Genc Nuza, deria skuadra më “fair-play” u shpall Drenica. Në konkurrencën e femrave klubi më i mirë u shpall KFF Mitrovica, ndërsa futbollistja më e mirë Kaltrina Biqkaj. Çmimi i lojtares më të mirë juniore i takoi Fortesa Berishës së KFF Malisheva, derisa me mirënjohje për kontribut në zhvillimin e futbollit të femrave u nderua Qerim Shaqiri. Në futsall skuadra më e mirë u shpall Liburni nga Gjakova, ndërsa lojtari më i mirë Alfred Prençi e golashënuesi më i mirë për vitin 2019 Ramadan Alaj. Ndërkohë, epiteti i punëtorit më të dalluar sportiv i takoi Fekmi Kongjelit, i cili tërë jetën ia kushtoi futbollit dhe asnjëherë nuk e harroi Kosovën edhe pse me vite të tëra jeton dhe vepron në Gjermani. Puna e z.Kongjeli është shumë dimensionale dhe së bashku me vëllezërit Shoshi janë përfaqësues të FFK-së për Gjermani. Me mirënjohje u nderuan edhe UEFA, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit,  Policia e Kosovës, Federata e Futbollit Shqiptar në Gjermani, Unioni i klubeve Shqiptare në Zvicër, Florim Gashi për kontribut dhe lobim në Diasporë, ish-kryetarët e FFK-së, Agim Bytyqi, Rexhep Abdullahu, Sabri Hashani dhe Fadil Vokrri, pastaj partnerët e FFK-së: IPKO, TEB Banka, Fourteen, Uji i alpeve, Hotel ‘Emerald’, Digitalb dhe KEDS, si dhe Shoqata e Gazetarëve Sportivë dhe grupi i tifozëve “Dardanët”. Me mirënjohje post-mortum u nderuan të gjithë ata që gjatë vitit 2019 ndërruan jetë, e që dhanë kontribut të çmueshëm gjatë jetës së tyre për futbollin e Kosovës.