vokrrilrfpzSot më 2 mars kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri ka vizituar Lidhjen Rajonale të Futbollit të Prizrenit. Me këtë rast është pritur nga z. Agim Maloku kryetar i LRF të Prizrenit njëherësh anëtar i KE të FFK-së, ku bashkë me Nijazi Kryeziun drejtor Urbanizmit në komunën e Prizrenit si dhe ish futbollistët e mirënjohur Sokol Hadri e Rexhep Gaxholli kanë bërë përurimin e zyrave të reja të Lidhjes Rajonale të Futbollit në Prizren. Drejtori i Urbanizmit z. Nijazi Kryeziu ka thënë se është i kënaqur që pas bisedave  me kryetarin Fadil Vokrri kemi arritur që të sigurojmë zyrat për Lidhjen Rajonale dhe ne do të vazhdojmë të përkrahim edhe më tutje Lidhjen Rajonale varësisht nga kërkesat dhe mundësitë që ka komuna e Prizrenit. Ndërkaq, kryetari Fadil Vokrri, ka falënderuar z. Kryeziu për mbështetje duke thënë se Lidhja rajonale futbollit e Prizrenit është e organizuar jashtëzakonisht mirë, ndërsa tash me këto zyra janë krijuar hapësira dhe kushte edhe më të mira për punë, veçmas tash në periudhën e ardhshme kur futbollin e Kosovës dhe FFK-në e presin sfida të mëdha. Prizreni gjithmonë është shquar si qytet i futbollit. E nga ana e tij mikpritësi Agim  Maloku ka falënderuar kryetarin Vokrri për angazhimin e tij që tu krijohen kushte për punë si dhe drejtorin e urbanizmit z. Nijazi Kryeziu që u përkujdes që Lidhja Rajonale e Prizrenit të ketë një adresë të saktë dhe një vend ku më mirë dhe me efikasitet të kryejë punët e detyrat që do të kemi para vetes.