18 maj, 2020 – Presidenti Agim Ademi dhe sekretari i përgjithshëm Eroll Salihu, sot, e kanë zhvilluar një takim me ministren në detyrë për Kulturë, Rini e Sport, Vlora Dumoshi, e cila ua ka kumtuar zyrtarisht vendimin e institucioneve qeveritare për lejimin e procesit stërvitor për klubet.

Menjëherë pas këtij vendimi është mbledhur Komisioni i Garave dhe Komisioni i Gjyqtarëve së bashku me administratorin e Ipko Superligës, me pjesëmarrjen edhe të presidentit Ademi, sekretarit të përgjithshëm Salihu si dhe ekipit mjekësor të FFK-së, ku është duke u përgatitur orari i 11-javëve të mbetura të kampionatit si dhe ndeshjeve të Digitalb Kupës së Kosovës.

Ndërkohë, sot do të mbahet edhe mbledhja e Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, i cili do të vendosë për datën fikse të rifillimit të kampionatit. Për fillim do të nisin përgatitjet e klubeve të Ipko Superligës, derisa për ligat e tjera KE do të vendosë më vonë gjithmonë në koordinim me ministrinë dhe UEFA-n.

Të gjitha klubeve tashmë iu ka dërguar udhëzuesi për aplikimin e masave për parandalimin dhe luftimin e COVID-19 gjatë stërvitjeve dhe ndeshjeve dhe kërkohet respektimi i tyre në përpikëri.

Për rikthimin e futbollit në vendin tonë është njoftuar edhe UEFA. Me këtë rast, FFK falënderon ministren në detyrë të Sportit, Vlora Dumoshi dhe të gjitha autoritetet tjera qeveritare për mirëkuptimin e treguar dhe për lejimin e procesit të stërvitjeve të klubeve në fazën e dytë të masave lehtësuese, ngase në këtë mënyrë është ofruar mundësia që kampionati të rikthehet dhe të mbyllet në afatet e parapara nga UEFA.