4 mars, 2020 – Janë zhvilluar tri ndeshje në kuadër të javës së 21-të në Ipko Superligë. Ballkani ka shënuar fitore para tifozëve të vet në duel me rivalin për titull, Dritën, me rezultat 2:0, duke e rikthyer epërsinë prej tre pikësh ndaj ndjekësve më të afërt. Të dy golat skuadra portokalli i shënoi në fundin e ndeshjes. Fillimisht shifrat i zhbllokoi Blend Baftiu në minutën e 78-të me golin e shënuar nga afërsia, derisa  pak minuta më pas Edvin Kuç realizoi supergol me gjuajtje nga distanca.
Fitore të rëndësishme ka realizuar edhe Gjilani, duke e mposhtur Feronikelin, me rezultat 2:1. Të dy golat për gjilanasit i shënoi Fiton Hajdari, derisa golin e vetëm për mysafirët e shënoi Albert Dabiqaj. Ndërkohë, Llapi ka shënuar fitore si mysafir kundër Trepçës’89 dhe atë me përmbysje të rezultatit, 2:1. Arb Manaj i kaloi “minatorët” në epërsi në minutën e 44-t, por llapjanët përmbysën gjithçka në minutat e fundit me golat e Ersil Ymerit (82’) dhe Egzon Krasniqit (85’).
Fitore për ta mbajtur hapin me liderin ka shënuar edhe Prishtina, duke e mposhtur Ferizajn, me rezultat 3:2. Januzi i kaloi bardhekaltrit në epërsi në minutën e fundit të pjesës së parë nga penalltia. I njëjti futbollist e shtoi epërsinë në minutën e 50-të, kësaj radhe pas asistimit të Hilës. Oto John i çoi shifrat në 3:0, kurse në minutat e fundit ferizajasit arritën të shënojnë dy herë për të ngushtuar disavantazhin, me golat e Albin Krasniqit dhe Taulant Dajakut. Nesër luhen dy ndeshjet e fundit të kësaj jave Drenica-Flamurtari dhe Vushtrria-Dukagjini.