6 qershor, 2020 – Drita dhe Feronikeli e kanë rinisur me këmbë të mbarë kampionatin në Ipko Superligë. Drita ka shënuar fitore në Gjilan në duel me Flamurtarin, me rezultat 1:0. Golin e vetëm në këtë ndeshje e shënoi Astrit Fazliu, me gjuajtje me kokë, në minutën e 26-të pas harkimit të shkëlqyeshëm të Xhevdet Shabanit. Me këtë fitore skuadra e Dritës ngjitet në pozitën e parë, aty ku do të qëndrojë së paku deri nesër, me dy pikë më shumë se Ballkani, që të dielën përballet me Drenicën. Në ndeshjen tjetër, Feronikeli arriti fitore të lehtë ndaj Vushtrrisë, me rezultat 3:1. Golat për skuadrën nga Drenasi i shënuan Harmon Gbowea, Mevlan Zeka dhe Lapidar Lladrovci, ndërsa për mysafirët golin e vetëm e shënoi Valmir Azemi.