22 prill, 2019 – Sot janë zhvilluar dy ndeshjet e fundit të javës së 28-të në IPKO Superligë. Ferizaj ka shënuar fitore tejet të rëndësishme në garën për mbetje në elitë, duke e mposhtur Flamurtarin, me rezultat 3:1. Kësisoj, ferizajasit pas fitores një javë më parë nga Feronikeli në Drenas dhe kësaj të sotmes para tifozëve të vet ndaj kuqezinjve i kanë rritur shpresat për t’iu shmangur edhe zonës së barazhit. Gola për skuadrën vendase i shënuan Egzon Shabani, Qëndrim Dautaj dhe Demiri, ndërsa për Flamurtarin golin e vetëm e shënoi Granchov. Ndërkaq, ndeshja tjetër ndërmjet dy skuadrave tjera të rrezikuara, Lirisë dhe Ballkanit, që u zhvillua në stadiumin “Përparim Thaçi” në Prizren nuk prodhoi fitues e as gola.