27 prill, 2019 – Sot janë zhvilluar tri ndeshje në kuadër të javës së 29-të në IPKO Superligë. Skuadra kryesuese, Feronikeli ka shënuar fitore para tifozëve të vet në duel me Gjilanin, me rezultat 2:0. Kastriot Rexha i zhbllokoi shifrat në minutën e 8-të, derisa fitoren e skuadrës nga Drenasi e vulosi braziliani Carioca, në minutën e 35-të. Fitore në shtëpi ka realizuar edhe Llapi në duel me Dritën, por shumë më të vështirë se sa Feronikeli. Në fakt, tri pikë të rëndësishme në garën për titull llapjanëve ia siguroi Festim Alidema, me një eurogol në minutën e 71-të, që njëherësh ishte goli i vetëm i këtij takimi. Ndërkaq, Ferizaj ka shënuar fitore tepër të rëndësishme në Suharekë në duel me Ballkanin, me rezultat 4:2, duke iu shmangur zonës së barazhit pas kësaj jave. Dren Gashi (30’, 48’), Qëndrim Dautaj dhe Ermal Krasniqi (90+3’) shënuan për fitoren e skuadrës së Bylbyl Sokolit, kurse, për nikoqirët realizuan Jetmir Topalli (40’) dhe  Bajram Nebihu (90+5’).