feronikeli-trepca898 shtator, 2016 – Skuadra kampione në fuqi, Feronikeli, iu gëzua fitores së parë në edicionin e ri, pasi në javën e 3-të në Vala Superligë e ka mposhtur Trepçën’89, duke ia shkaktuar kësaj të fundit humbjen e parë. Ndeshja e zhvilluar sot në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas ka përfunduar me shifrat 4:1. Kampionët në fuqi e nisën furishëm këtë ndeshje, duke shkuar në pushim me tre gola epërsi. Shifrat i zhbllokoi Mentor Zhdrella, me golin e shënuar në minutën e 15-të. Epërsinë në 2:0 e shtoi Blerand Kurtishaj, në minutën e 24-t, kurse gjashtë minuta më vonë Mendurim Hoti shënoi për 3:0. Në fillim të pjesës së dytë mitrovicasit ishin më këmbëngulës në sulm dhe në minutën e 50-të arritën të ngushtojnë përkohësisht epërsinë e vendasve, me golin e Oto John. Megjithatë, vetëm pesë minuta më vonë qetësinë tek skuadra e Feronikelit e riktheu Behar Maliqi, me golin e shënuar me kokë, për të vendosur njëherësh rezultatin përfundimtar 4:1.