vokrri-aeroport1Delegacioni i Federatës së Futbollit të Kosovës në krye me kryetarin Fadil Vokrri, ka arritur sot në mesditë në Kosovë. Së bashku me Vokrrin ishte edhe kryeministri i vendit, Isa Mustafa. Delegacioni i FFK-së është pritur në mënyrë të organizuar nga stafi i federatës, punëtorë të futbollit dhe nga futbollistët e grupmoshave të reja të disa prej klubeve si Flamurtari, Kosova (P), Llapi, Hajvalia dhe 2 Korriku. Edhe pas kthimit në vend krerët e FFK-së, Fadil Vokrri e Eroll Salihu, si dhe përzgjedhësi i Përfaqësueses, Albert Bunjaki, u shprehën se dita e djeshme ishte historike dhe uruan të gjithë ata që punojnë dhe kontribuojnë në futboll, dhe jo vetëm ata, për këtë arritje të jashtëzakonshme. Ata u shprehën optimistë se në javën e ardhshme FFK-ja do të bëhet edhe pjesë e FIFA-s dhe kësisoj do t’i hapet rruga Përfaqësueses së Kosovës për të marrë pjesë në kualifikimet për Botërorin “Rusi 2018”, që nisin në shtator. Megjithatë, krerët e FFK-së përsëritën se nuk ka shumë kohë për festë, pasi duhet ende shumë punë.
vokrri-aeroport2