Prishtinë, 10 prill, 2019

E nderuara familje e Shinasi Berishës!

Me pikëllim të thellë e morëm lajmin për vdekjen e Shinasi Berishës, njeriut i cili dha aq shumë për futbollin e Kosovës, e sidomos për ndarjen e drejtësisë në fushën e gjelbër, ndaj më lejoni që në emrin tim, KE, klubeve, futbollistëve, gjyqtarëve dhe adhuruesve të futbollit, të ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe të thella.

Shinasiu ishte gjyqtari i parë nga Kosova me stemën e FIFA-s dhe që ndau drejtësinë në shumë ndeshje ndërkombëtare, derisa edhe në ish-shtetin e shpërbërë, ishte njëri nga gjyqtarët më të mirë, duke ndarë drejtësinë në shumë finale të Kupës dhe në ndeshjet derbi.

Shinasiu dha kontribut të jashtëzakonshëm në futbollin e Kosovës  para dhe pas luftës, duke qenë edhe drejtor për shumë vjet në KF “Prishtina”, derisa si kryetar i Shoqatës së Gjyqtarëve i kushtoi rëndësi të madhe ngritjes së kuadrove të reja të gjyqtarëve të futbollit. Gjithashtu, për një kohë të gjatë ishte edhe analist televiziv i referimit, ku po ashtu dha kontribut të madh në përmirësimin e shumë gjërave në ndeshjet e futbollit, e sidomos në ndarje të drejtësisë.

Shinasiu ishte punëtor i madh, mik e shok i jashtëzakonshëm dhe i respektueshëm nga të gjithë, dhe si të tillë do ta kujtomë gjithmonë.

Në këto momente të vështira për ju, të gjithë jemi pranë jush, për ta përballuar dhimbjen dhe humbjen e njeriut më të dashur për ju.

Me respekt
Agim Ademi, president i FFK-së