drita-prishtE shtuna do të jetë festë futbolli në kryeqytet. Drita dhe Prishtina do të vihen përballë në finalen e Digitalb Kupës së Kosovës. Interesimi për këtë finale tek dashamirët e futbollit është jashtëzakonisht i madh, pothuajse si asnjëherë më parë, ngase kjo është finalja e parë pas anëtarësimit të Federatës së Futbollit të Kosovës në UEFA e FIFA dhe fituesit të kupës do t’i jepet mundësia që të paraqitet në kualifikimet e Ligës së Evropës. Të dyja skuadrat i kanë dhënë rëndësinë maksimale kësaj sfide dhe gjatë tërë javës janë përgatitur deri në detaje më të vogla që në finale të paraqiten sa më denjësisht. Tifozët e të dyja skuadrave kanë paralajmëruar se do të jenë në numër të madh dhe do ë krijojnë spektakël në tribuna, prandaj me të drejtë pritet që nesër Stadiumi i Qytetit në Prishtinë të jetë i mbushur me shikues.

Rruga deri në finale

Për të arritur deri në finale të Digitalb Kupës së Kosovës këto dy skuadra nuk kanë pasur rrugë të lehtë: Në rrethin e parë Drita me mjaft vështirësi e kaloi sfidën me Ballkanin, duke e mposhtur 2:1, derisa Prishtina pati nevojë për fat në penallti, pasi duelin me Rahovecin në kohën e rregullt e mbylli 0:0, kurse në penallti fitoi 5:4. Në rrethin e dytë Prishtina u tregua bindëse, duke e mposhtur Istogun, me shifrat 5:1, derisa Drita e eliminoi njërën prej skuadrave që vlerësohej favorite, Hajvalinë, me rezultat 3:1. Në çerekfinale Prishtina pati fat, ngase me short kaloi tutje pa lojë në mungesë të kundërshtarit, derisa Drita e mundi Drenicën në Skenderaj, me rezultat 1:0, me një gol të shënuar në minutën e fundit të ndeshjes. Ndërkohë, në gjysmëfinale Prishtina në ndeshjen e parë shënoi fitore bindëse para tifozëve të vet kundër Llapit, 3:0, derisa në ndeshjen e kthimit luajti baras 1:1. Në anën tjetër, Drita në sfidën e parë kundër Trepçës’89 pësoi humbje 0:1, por me të njëjtin rezultat shënoi fitore në ndeshjen e kthimit gjatë kohës së rregullt, duke i siguruar vazhdimet dy herë nga 15 minuta ku u tregua më e mirë se skuadra mitrovicase, duke fituar 3:0.
Se cila prej këtyre dy skuadrave do t’i gëzohet trofeut të Digitalb Kupës së Kosovës mbetet të shihet nesër. Ndeshja fillon në orën 16:00. Prishtina e ka fituar katër herë këtë trofe që nga mëvetësimi i futbollit kosovar, derisa Drita e ka shijuar gëzimin e këtij trofeu vetëm një herë.
Joshëse edhe finalja e femrave
Nesër do të luhet edhe finalja e Kupës së Kosovës në konkurrencën e femrave, ku do të ballafaqohen Hajvalia – Mitrovica. Kjo ndeshje fillon në orën 13:30 dhe po ashtu pritet të jetë mjaft interesante. Hajvalia në mesjavë e festoi titullin e kampionit dhe synon t’i gëzohet edhe trofeut të dytë, derisa Mitrovica synon që së paku ta mbyll edicionin me një trofe.
 
Fituesit e Kupës së Kosovës që nga mëvetësimi
1991/92: Trepça (pa lojë)
1992/93: Flamurtari (në finale e mundi Trepçën 1:0)
1993/94: Prishtina (në finale e mundi Vëllaznimin 2:1)
1994/95: Prishtina (në finale e mundi Dukagjinin 1:0)
1995/96: Flamurtari (në finale e mundi Dukagjinin 2:1)
1996/97: 2 Korriku  (pa lojë, Gjilani nuk u paraqit)
1997/98 dhe 1998/99 nuk u zhvilluan garat për shkak të luftës
1999/00: Gjilani (në finale e mundi  Besianën 1:0)
2000/01: Drita (në finale e mundi Gjilanin 1:1 – 6:5 pen)
2001/02: Besiana (në finale e mundi Gjilanin 2:1)
2002/03: KEK-u (në finale e mundi  Prishtinën 3:1)
2003/04: Kosova Pr.(në finale e mundi Besën 1:0)
2004/05: Besa (në finale e mundi  KEK-un 3:2)
2005/06: Prishtina (në finale e mundi Drenicën 1:1 – 5:4 pen)
2006/07: Liria (në finale e mundi  Flamurtarin 0:0 – 3:0 pen)
2007/08: Vëllaznimi (në finale e mundi Trepçën’89 2:0
2008/09: Hysi (në finale e mundi Prishtinën 2:1)
2009/10: Liria (në finale e mundi  Vëllaznimin 2:1)
2010/11:  Besa (në finale e mundi Prishtinën 2:1)
2011/12:  Trepça ’89 (në finale e mundi  Ferizajn 3:0)
2012/13:  Prishtina (në finale e mundi Ferizajn 1:1 – 4:3 pen)
2013/14:  Feronikeli (në finale e mundi Hajvalinë 2:1)
2014/15:  Feronikeli (në finale e mundi Trepçën’89 1:1 – 5:4 pen)