26 shtator, 2017 – Sot në hotel “Emerald” është mbajtur dita e parë e seminarit për platformën e sistemit digjital të garave nën udhëheqjen e z. Daniel Gonteri nga UEFA, si dhe dy implementuesve të projektit Matthew Cowling dhe Michael Pocklington. Në ditën e parë të pranishëm kanë qenë zëvendëssekretari i përgjithshëm, Arianit Ahmeti, drejtori për marrëdhënie me jashtë, Artan Govori, përgjegjësi për licencim të klubeve, Adem Çollakaj, anëtarët e Komisionit të Garave dhe të Komisionit Disiplinor, administratorët e ligave, përfaqësuesi i Komisionit të Gjyqtarëve, si dhe administratori i IT-së dhe administratori i uebfaqes. Me këtë rast është prezantuar platforma e sistemit digjital të garave, e cila i importon të dhënat edhe nga platforma tashmë e implementuar në FFK, FIFA Connect. Daniel Gontieri ka bërë të ditur se ky system i garave është duke u përdorur në një masë nga Serie B e Italisë, por Federata e Futbollit e Kosovës do të jetë e para nga federatat që do ta implementojë atë në tërësi. Gjatë ditës së sotme nga përfaqësuesit e FFK-së është shpjeguar struktura organizative e FFK-së dhe mënyra e funksionimit të garave, derisa përfaqësuesit e këtij projekti kanë shpjeguar mënyrën e funksionimit të kësaj platforme. Ky seminar vazhdon edhe nesër. Ndërkohë, në orët e mbrëmjes zëvendëssekretari i përgjithshëm, Arianit Ahmeti dhe përgjegjësi i IT-së, Dardan Sadiku kanë shtruar darkë për mysafirët, si dhe kanë shkëmbyer përvojat e tyre rreth futbollit.