4 prill, 2018 – Në vazhdën e shumë takimeve dhe vizitave në komunat e Kosovës me qëllim që të kërkohet mbështetja e kryetarëve të komunave për klubet e futbollit, sot presidenti i FFK-së, z. Fadil Vokrri vizitoi komunën e Vushtrrisë. I pari i FFK-së u pritë nga kryetari i komunës së Vushtrrisë, z. Xhafer Tahiri. Në këtë takim shumë të frytshëm, presidenti i FFK-së, z. Fadil Vokrri e njohu mikpritësin Tahiri për zhvillimet në futbollin e Kosovës dhe për prioritetet e FFK-së në përmirësimin e infrastrukturës dhe i kërkoi që t’i jepet mbështetje klubeve të futbollit në përgjithësi e në veçanti në infrastrukturë si parakusht për zhvillimin e futbollit. FFK-ja do të vazhdojë t’i ndihmojë klubet e futbollit në bashkëpunim me komunën që të përmirësojnë kushtet e tyre. Ndërkaq, nga ana e tij kryetari i komunës z. Xhafer Tahiri duke falënderuar presidentin Vokrri për këtë vizitë u zotua se komuna do të ndihmojë klubet e futbollit gjithnjë në bashkëpunim me federatën për t’u krijuar kushte sa më të mira për punë.