31 mars, 2019 – Prishtina ka vazhduar serinë e fitoreve në IPKO Superligë. Pas fitores së arritur në mesjavë në ndeshjen e mbetur kundër Flamurtarit, bardhekaltrit sot shënuan fitore si mysafirë në Therandë në duel me Ballkanin, në kuadër të javës së 24-t me rezultat 2:0. Më i merituari për këtë fitore të rëndësishme për Prishtinën, e cila e mban në garë për titull, ishte Meriton Korenica, i cili shënoi të dy golat. Rezultati u zhbllokua në minutën e 71-të, kur Korenica shënoi një eurogol nga gjuajtja e lirë, derisa i njëjti futbollist e vulosi fitoren në minutën e 87-të, kur asistimin e mirë të Ergyn Ahmetit e shndërroi në gol me gjuajtje të fortë nga e majta. Ndërkohë, ndeshja e cila e mbylli javën e 24-t ndërmjet Flamurtarit dhe Feronikelit, e cila u zhvillua në orët e mbrëmjes në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet, u mbyll pa fitues dhe pa gola. Në pjesën e parë ishin kuqezinjtë e kryeqytetit që patën më shumë mundësi për të gjetur golin, derisa në pjesën e dytë lojë më të mirë paraqitën futbollistët e Feronikelit, por nuk arritën të shënojnë në portën e Flamur Nezirit. Kësisoj, tashmë epërsia e Feronikelit ndaj Prishtinës është zvogëluar në vetëm tre pikë dhe gara për titull bëhet edhe më interesante.