19 prill, 2019 – Projekti “Rekrutimi i vajzave të reja shkollore në futbollin e organizuar” nën moton ”Ti mund ta bësh- You can do it”, i cili po organizohet për herë të dytë nga Federata e Futbollit e Kosovës në 14 komuna, ka bërë që të rritet interesimi por edhe dashuria për futboll tek vajzat. Turneu i radhës në kuadër të këtij projekti u zhvillua për dy ditë në kryeqytet, në fushat e vogla me bari sintetik, në stadiumin e KF “Ramiz Sadiku”. Në hapje të këtij turneu, ku morën pjesë 12 shkolla të Komunës së Prishtinës, kryetarja e Komisionit të futbollit të femrave znj. Vjollcë Krasniqi, e vlerësoi këtë projekt si tejet të rëndësishëm për zhvillimin dhe masovitetin e futbollit të vajzave.

“Ky është njëri prej aktiviteteve të shumta të FFK-së e që për synim ka sensibilizimin e futbollit të femrave në vendin tonë. Ne e kemi nisur këtë projekt vitin e kaluar me 7 komuna, derisa këtë herë e kemi zgjeruar në 14 komuna, pasi është dëshmuar se projekti i vitit të kaluar ka rezultuar i suksesshëm dhe kemi rritje të interesimit për futbollin e femrave. Shpresojmë se edhe sivjet ky aktivitet do ta përmbushë misionin e tij dhe në të ardhmen sa më shumë vajza do t’i shohim në klubet e futbollit”, ka theksuar Vjollcë Krasniqi, e cila ka falënderuar Drejtorinë e Sportit në Komunën e Prishtinës dhe Shoqatën e Pedagogëve të Edukatës Fizike dhe Sportit për mbështetje në organizimin e këtij projekti. I pranishëm në hapje të turneut ishte edhe drejtori i sportit në KK të Prishtinës, Fitim Rexha, derisa si zakonisht krahas arsimtarëve ndeshjet e turneut janë mbikëqyrur nga afër edhe nga menaxherja e futbollit të femrave në FFK, Valbonë Gashi-Uka, derisa talentin e shfaqur nga nxënëset e kanë ndjekur nga afër përzgjedhësi i Kombëtares U16 e U19, Kushtrim Munishi dhe trajneri i KFF “Kosova” (P), Naim Pefqeli.

Gjatë dy ditëve gara, vajzat e 12 shkollave treguan dashurinë e madhe për futbollin, por edhe lojëra të pëlqyeshme, e ku në disa prej ekipeve të shkollave u dalluan edhe talente me potencial për të ardhmen. Fitues i turneut të kryeqytetit doli ekipi i SHFMU “Ismajl Qemajli”, që në finale e mundi ekipin e SHFMU “Dardania”, me rezultat 3:1. Në përfundim të turneut, kryetari i Shoqatës së Pedagogëve të Edukatës Fizike të Prishtinës, Besart Ismajli falënderoi FFK-në për këtë projekt shumë të rëndësishëm dhe për mbështetjen që po i jep shkollave, por edhe zhvillimit të futbollit të femrave.

FFK-ja për të gjitha shkollat pjesëmarrëse ka dhuruar nga 6 topa të futbollit, derisa për ekipet më të mira janë ndarë kupa dhe mirënjohje.

Rezultatet
Rrethi i parë
SHFMU “Hilmi Rakovica” – SHFMU “Shkëndija” 2:1
SHFMU “Ismajl Qemajli” – SHFMU “Elena Gjika” 3:0
SHFMU “Dardania” – SHFMU “Iliria” 2:1
SHFMU “Emin Duraku” – SHFMU “Xhemajl Mustafa” 0:1
SHFMU “Pavarësia” – SHFMU  “Nazim Gafurri” 4:3
SHFMU “Qamil Batalli” – SHFMU “Shkolla e Gjelbërt” 2:1

Rrethi i dytë
SHFMU “Hilmi Rakovica” – SHFMU “Ismajl Qemajli” 0:2
SHFMU “Dardania” – SHFMU “Xhemajl Mustafa” 2:0
SHFMU “Pavarësia” – SHFMU “Qamil Batalli” 4:3

Gjysmëfinalja
SHFMU “Pavarësia” – SHFMU “Dardania” 1:2
SHFMU “Ismajl Qemajli” në finale me short

Finalja
SHFMU “Ismajl Qemajli” – SHFMU “Dardania” 3:1

Kliko për më shumë foto